FIFA ka rritur ndjeshëm çmimet e biletave për finalen e Botërorit 2026, duke e çuar çmimin maksimal në 10,990 dollarë (rreth 9,533 euro).Vendimi erdhi gjatë rihapjes së shitjeve, e cila u shoqërua me probleme teknike dhe pakënaqësi të mëdha nga tifozët. Fillimisht, pas shortit të dhjetorit, bileta më e shtrenjtë për finalen kushtonte 8,680 dollarë, por tashmë çmimet janë rritur ndjeshëm në të gjitha kategoritë. Edhe biletat e kategorisë së dytë dhe të tretë kanë pësuar rritje të konsiderueshme, duke e bërë edhe më të vështirë aksesin për tifozët.
FIFA po aplikon një sistem të quajtur “çmim dinamik”, ku kostoja e biletave ndryshon në varësi të kërkesës dhe disponueshmërisë. Ky model është kritikuar ashpër, madje edhe nga anëtarë të Kongresit amerikan, të cilët paralajmëruan se Botërori 2026 mund të bëhet më pak i aksesueshmi financiarisht në histori. Reagime negative ka pasur edhe nga organizata të konsumatorëve si Euroconsumers dhe Football Supporters Europe, të cilat kanë paraqitur një ankesë zyrtare për rritjen e çmimeve. Ndërkohë, shitja e biletave është shoqëruar me probleme të shumta teknike. Shumë tifozë raportuan pritje të gjata në platformën online, ndërsa disa u drejtuan gabimisht në seksione të tjera të shitjes.
Vetë FIFA pranoi se jo të gjitha biletat janë hedhur në treg njëkohësisht dhe se do të publikohen gradualisht. Pavarësisht çmimeve të larta, kërkesa për bileta mbetet shumë e madhe. Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, deklaroi më herët se kërkesat për bileta janë ekuivalente me “kërkesën për 1000 Botërorë njëkohësisht”. Megjithatë, pakënaqësia e tifozëve vazhdon të rritet, duke e kthyer çështjen e biletave në një nga temat më të nxehta përpara nisjes së turneut më të madh të futbollit në botë.





