Pas kërkesës për ballafaqim nga ana e Dritan Burgijës dhe Arlind Boshkut, ka reaguar edhe kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili ka mbrojtur vendimin për përjashtimin e tyre nga grupi i këshilltarëve në Durrës.

Në një konferencë për gazetarët, Berisha tha se vetëm njëri është përjashtuar, për të cilin kishte motive të qarta se kishte bashkëpunuar me kundërshtarin në zgjedhje. Ai theksoi se këto janë arsye të qarta për përjashtimin, ndërsa shtoi se çdo anëtar ka të drejtë të ndjekë rrugët statutore për ankimim.

“Sali Berisha nuk është gjykatësi i partisë. PD ka strukturat dhe gjykatën e saj, ku kushdo mund të paraqesë ankesën,” deklaroi ai, duke nënvizuar se analiza për zgjedhjet dhe përgjegjësitë do të bëhet për të gjithë.

Berisha përdori tone të forta ndaj atyre që, sipas tij, kanë mbështetur kundërshtarët, duke u shprehur se “ata që japin veten me qira” dhe punojnë kundër partisë, nuk mund të pretendojnë më të jenë pjesë e saj.

“Nga ata vetëm njëri është përjashtuar dhe për atë ka motive të qarta. Ka punuar me kundërshtarët, për të mos thënë gjëra të tjera. Ka një gjykatë kjo parti dhe të paraqesë ankesën. Nuk është Berisha gjykatësi i partisë. Po, Sali Berisha ka premtuar me kohë të bëhen analiza, ka premtuar që nga këto analiza do nxirën përgjegjësi. Bën fushatë dhe bën thirrje ditën para votimit që të votohet për kandidatin e Tom Doshit. Unë mendoj se është më e pakta që mund të them se ka ndonjë gjë të përbashkët me PD-në. Ka investimin e vetë dhe keqpërdoret, ata persona që shiten me qira, e japin veten me qira, kaq. Kanë bërë një zgjedhje ata, partia është institucion, që ka të gjitha forumet dhe cilido që ka ankesa e vërejtje ka të drejtë të ankimojë”, tha ai para gazetarëve.

Ky reagim vjen pas lëvizjeve të fundit të Burgijës dhe Boshkut, të cilët dy ditë më parë u paraqitën në selinë blu duke kundërshtuar përjashtimin dhe duke kërkuar një përballje të drejtpërdrejtë me Berishën.

Ndërkohë, situata e tyre mbetet ende e paqartë edhe në Këshillin Bashkiak Durrës, pasi deri tani nuk është depozituar një kërkesë zyrtare për zëvendësimin e tyre, duke lënë të hapur çështjen e statusit të dy këshilltarëve.