Detaje të reja kanë dalë lidhur me konfliktin e ditës së sotme në Vlorë. Policia bën me dije se babë e bir janë goditur nga dy persona të tjerë.

Sipas informacioneve, njëri prej të dëmtuarve, 63 vjeç ka humbur jetën. Ky i fundit kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë. Lidhur me këtë ngjarje, autorët ende nuk janë vënë në pranga dhe ndodhen në kërkim.

Njoftimi i policisë:

Sot, rreth orës 15:00, në vendin e quajtur “Rruga e Çipave”, dyshohet se pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, shtetasi I. A., 63 vjeç, është goditur me grushte nga dy shtetas, tashmë të identifikuar nga shërbimet e Policisë dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Si pasojë e dëmtimeve, shtetasi I. A, ka humbur ndjenjat dhe është transportuar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku më pas ka ndërruar jetë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon intensivisht për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.