Në podcastin “Flasim”, kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se qeveria ka miratuar aktin normativ që parashikon uljen e akcizës për naftën dhe benzinën kur çmimet e tyre të kalojnë një nivel të caktuar në treg.
Sipas vendimit, akciza do të ulet me 20% automatikisht kur çmimi i naftës të kalojë 220 lekë për litër dhe i benzinës 200 lekë për litër.
Kjo masë synon të ndihmojë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve të përballojnë rritjen e çmimeve për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare, pa rrezikuar stabilitetin e financave publike.
Rama shpjegoi se vendimi është i matur dhe i drejtë, dhe do të vijojë derisa situata në tregjet ndërkombëtare të stabilizohet. Bordi i Transparencës do të monitorojë tregun dhe do të marrë masa ndaj distributorëve që nuk respektojnë çmimet e përcaktuara.
Kryeministri e përshkroi këtë si një ndërhyrje të shpejtë dhe të përgjegjshme për të mbrojtur qytetarët nga ndikimi i rritjes së çmimeve globale të karburanteve.
FJALA E PLOTË E KRYEMINISTRIT:
Këtë javë kemi miratuar edhe aktin e premtuar normativ për uljen e akcizës së naftës, në momentin kur nafta, si pasojë e impaktit të luftës mbi tregjet ndërkombëtare, të kalojë limitin e 220 lekëve. Pra, ulja e akcizës me 20% është një masë që hyn në fuqi menjëherë kur çmimi i naftës kalon 220 lekë për litër dhe ai i benzinës 200 lekë për litër. Këto pragje janë paracaktuar për të garantuar një ndërhyrje të drejtë dhe të balancuar në raport me zhvillimet e tregut, të cilat janë zhvillime që ne nuk i kemi në dorë, nuk jemi shkaktarë të tyre dhe nuk kemi as fuqinë që t’i ndalojmë, përveçse kemi detyrimin që t’i trajtojmë në funksion të amortizimit të goditjes së menjëhershme mbi konsumatorët, pa cenuar, nga ana tjetër, stabilitetin e financave publike në një kohë kur pasiguria në tregjet ndërkombëtare mbetet e lartë dhe po aq edhe dinamike. Masa do të mbetet në fuqi deri në stabilizimin e plotë të situatës ndërkombëtare, ndërsa Bordi i Transparencës, që është vënë në lëvizje, do të mbetet garant i çdo zhvillimi në tregjet globale për të reflektuar në mënyrë të drejtë dhe të verifikueshme atë çka duhet të ndodhë në tregun vendas. Ky është një reagim i duhur, i matur në kohë, që garanton vendimmarrje të shpejta, që mishëron përgjegjësi të plotë dhe që do të bëjë të mundur që qytetarët, drejtuesit e automjeteve, të mos abuzohen nga distributorët e naftës. Masat për të gjithë ata që do të shkelin çmimin e përcaktuar nga Bordi i Transparencës, në bazë të tregjeve, do të jenë drastike.





