Pas arrestimit të shqiptarit Maglent Dybelit, i cili dyshohet se drejtonte një rrjet trafiku kokaine në Peru, mediat vendase kanë zbuluar detaje të reja mbi funksionimin e organizatës kriminale me shtrirje ndërkombëtare, e cila u godit nga autoritetet antidrogë.
Sipas raportimeve, grupi kishte ndërtuar një skemë të sofistikuar që ndërthurte trafikun e paligjshëm të drogës me mashtrime ndaj blerësve dhe organizatave ndërkombëtare, me synimin për të përfituar shuma të mëdha parash.
Hetimet zbuluan strukturën e brendshme të organizatës, rolet e anëtarëve dhe metodat që përdornin për të realizuar aktivitetin kriminal.
Autoritetet bëjnë me dije se rrjeti ofronte sasi të mëdha kokaine për klientë të huaj, duke përdorur video të manipuluara që simulonin transportin e drogës nga zonat e prodhimit drejt portit të Callao-s. Këto pamje shërbenin për të krijuar besueshmëri te blerësit dhe për të maskuar aktivitetin e paligjshëm si një operacion të rregullt.
Në thelb të mashtrimit ishte zëvendësimi i pjesës më të madhe të ngarkesës me miell, ndërsa vetëm një paketë përmbante drogë të vërtetë. Në këtë mënyrë, pasi siguronin pagesat paraprake, grupi përfitonte duke mashtruar klientët. Sipas hetimeve, organizata kishte arritur të siguronte mbi 60 mijë dollarë nga këto skema.
Rrjeti përbëhej nga shtetas peruanë dhe të huaj. Një rol kyç luante një person me nofkën “Pantro”, i cili merrej me koordinimin e operacioneve, ndërsa një shtetas shqiptar dyshohet se vepronte si financues. Një tjetër anëtar operonte nga Kolumbia, duke dëshmuar shtrirjen ndërkombëtare të grupit.
Zbulimi i organizatës u bë i mundur falë një hetimi të thelluar nga strukturat e inteligjencës së antidrogës peruane (DIRANDRO), që përdorën teknika të avancuara përgjimi dhe dokumentimi. Operacionet përfunduan me kontrolle në disa zona, përfshirë Callao, Comas dhe Los Olivos.
Gjatë ndërhyrjeve, policia sekuestroi lëndë narkotike, materiale për përpunimin e saj, dokumente të falsifikuara dhe regjistra financiarë, të cilët pritet të shërbejnë si prova kyçe në procesin penal.
Hetimet zbuluan gjithashtu përdorimin e kriptomonedhave, si bitcoin, për kryerjen e pagesave, çka u mundësonte anëtarëve të shmangnin gjurmimin financiar dhe të ruanin anonimitetin.
Në total, pesë persona u arrestuan, ndërsa gjykata ka caktuar ndaj tyre masën e paraburgimit për 18 muaj. Çështja vijon të hetohet për të përcaktuar përgjegjësitë e plota penale të secilit prej të përfshirëve.





