Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pasi doli nga mbledhja me kryetarët, dha një deklaratë për mediat.
Lidhur me kërkesat e opozitës për komisione hetimore, ai u shpreh se ato duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën.
“Prej vitit 2003, kur Gjykata Kushtetuese, me dy vendime pasuese, 20, 21, është sqaruar shumë qartë se kërkesat për ngritjen e komisioneve hetimore duhet të respektojnë disa parime. Parimi i parë është parimi i së drejtës kërkuese, por kjo kërkesë dhe përmbajtja e saj duhet të shikohet që ka kufizime sa i përket përmbajtjes, duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën. Kërkesa të fokusohet në një çështje të veçantë”, tha ai.
Kutojmë se opozita kërkoi ngritjen e një Komisioni Hetimor për shembjen e disa akseve rrugore në vend. Konferenca ka rrëzuar kërkesën e opozitës, duke mos ngritur Komision Hetimor ndaj ARRSH-së.
Duke qenë se nuk u arrit dakordësia, çështja i kalon për votim seancës të së enjtes.
Partia Socialiste kërkoi që në rend dite të futet edhe projektligji për disa ndryshime në Rregulloren e Kuvendit, por kjo është kundërshtuar nga Partia Demokratike, duke argumentuar se Gjykata Kushtetuese rrëzoi numrin e komisioneve hetimore.





