Shqipëria u vizitua nga 609 mijë turistë të huaj gjatë muajit mars, duke shënuar një rritje prej rreth 11% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Në terma absolutë, bëhet fjalë për rreth 60 mijë vizitorë më shumë, një sinjal pozitiv për ecurinë e sezonit turistik.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Turizmit, vendi vijon të mbetet një destinacion i preferuar për vizitorët e huaj, trend i konfirmuar nga rritja e qëndrueshme e numrit të turistëve. Këto shifra krijojnë pritshmëri për një sezon të mbarë në muajt në vijim, pavarësisht sfidave që vijnë nga tensionet gjeopolitike në rajone të ndryshme të botës.
Rritja nuk kufizohet vetëm në muajin mars. Edhe gjatë tremujorit të parë të vitit është regjistruar shtim i vizitave në parqet arkeologjike, zonat e mbrojtura dhe monumentet historike.
Ndër objektivat kryesore mbetet zhvillimi i turizmit gjithëvjetor, përmes diversifikimit të ofertës në turizmin natyror, kulturor, historik, të aventurës dhe kulinarisë.
Veçanërisht, është vënë re një rritje e vizitave në kalanë e Gjirokastrës, Beratit dhe Shkodrës, duke konfirmuar se trashëgimia kulturore mbetet një nga asetet kryesore të turizmit shqiptar gjatë sezonit të pranverës.





