Kryeministri Rama i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala inspektoi ambientet e spitalit të ri rajonal të Lezhës.

Kryeministri shprehu se për spitalin e Lezhës nuk i vijnë ankesa dhe se në institucion po bëhet një punë mjaft e mirë. Më tej Rama shprehu se vendi ka mjekë shumë të mirë, por shtoi se problemi që ka sistemi shëndetësor është menaxhimi, për të cilin ai tha se po përmirësohet me kohën.

“Është e vërtetë që rritja e pagave ka qenë domethënëse sepse rritja e ekonomisë ka qenë e domethënëse, ndaj mendoj që do kemi mundësi rritjeje edhe në të ardhmen.

Shoh që spitali i Lezhës tani është mjaft mirë.

Duke qenë se unë kam një barometër të matjes së punëve të institucioneve në telefon tim ku siç e merrni me mend më vijnë ankesa, por përgjithësisht për spitalin e Lezhës nuk kam shumë ankesa dhe mendoj që keni krijuar një farë respekti me punën tuaj.

Jo vetëm Lezha, por çdo spital që mban peshën e ambulatorit të përditshëm mbingarkohet, por unë mendoj që ajo që është fantastike është decentralizimi i shërbimit onkologjik dhe krijimi i bërthamave të shërbimit dhe të kimioterapisë është fantastike sepse do ta afrojë shërbimin me pacientët, duke marrë parasysh pengesat që sjell rruga apo shoqërimi i pacientëve etj.

Besoj që ne kemi mjek shumë të mirë dhe le të thonë çdo gjë ata që flasin rrugëve, por unë e kam konstatuar edhe në biseda me te huaj. Jemi shumë mirë, kemi infermierë shumë të mirë, problemi është menaxhimi në krahasim me vendet e tjera, jemi të rinj në traditën e menaxhimit, por është diçka që po përmirësohet me kohën”, u shpreh kryeministri Rama.