Në kuadër të projektit “Smart City”, 20 shkolla në Tiranë do të pajisen me rreth 380 kamera inteligjente, të vendosura brenda dhe jashtë ambienteve shkollore. Numri i kamerave për secilën shkollë do të variojë nga 11 deri në 31, në varësi të madhësisë së nxënësve.

Sistemi do të monitorojë ambientet në kohë reale dhe është konceptuar nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë, duke përdorur inteligjencën artificiale.

Faik Basha, ekspert sigurie, shpjegon:

“Ky është sistemi më i avancuar për monitorim dhe mbrojtje nga hakerimi. Privatësia e nxënësve nuk cenon, pasi kamerat janë në ambientet ku tashmë ekzistojnë, por me kapacitet shumë herë më të madh për sigurinë e tyre. Sistemi ndihmon edhe në parandalimin e rreziqeve si përdorimi i narkotikëve ose hyrja e individëve të dyshuar në shkolla.”

Shkollat e përzgjedhura përfshijnë: “Fan Noli”, “Kongresi i Manastirit”, “Ramazan Jarani”, “Ahmet Gashi”, “Gjon Buzuku”, “Jeronim De Rada”, “Avni Rustemi”, si dhe gjimnazet “Petro Nini Luarasi”, “Qemal Stafa”, “Partizani”, “Teknike Ekonomike” dhe “Aleks Buda”.

Gentjan Serjani, jurist, thekson:

“Implementimi i këtyre sistemeve kërkon konsultim me prindërit dhe një bazë ligjore të qartë për të mbrojtur privatësinë e fëmijëve.”

Projekti përfshin gjithashtu detektorë dhe sisteme inteligjente, ngritjen e sallave të monitorimit dhe trajnimin e personelit. /Euronews