Kryeministri, Edi Rama këtë të mërkurë ka zhvilluar një takim në kompleksin industrial në Durrës ku operojnë disa kompani transporti, riciklimi dhe përpunimi industrial. Rama gjatë fjalës së tij ka folur kidhur me investimet në teknologji dhe pagat në këtë sektor.

Ai tha se numri i fabrikave dhe ndërmarrjeve në vend janë shtuar teksa theksoi se edhe rrogat shkojnë mbi 1 mijë euro.

“Të promovohen ndërmarrjet shqiptare. Jemi këtu edhe për të mundësuar që shqiptarët të shohin një Shqipëri që punon, por që nuk bën lajm, që nuk shihet asgjëkund, për shkak se kronikat e lajmeve janë të zëna me punë të mëdha siç janë thash e themet apo përsëritjet e gënjeshtrave të ditës.

Numri i fabrikave dhe ndërmarrjeve në Shqipëri vjen vetëm duke u rritur. Paga mesatare këtu është mbi 1000 euro, që është një pagë kuptimplotë për Shqipërinë e sot dhe jam i bindur se do të rritur për përmbushjen e objektivave që ka kompania”, tha Rama.

Ndër të tjera ai tha qeveria po përgatit një skemë të re pensionesh, e cila sipas tij do të plotësojë sistemin aktual.

“Jemi duke përgatitur një skemë të re të pensioneve, që nuk do ta zëvendësojë, por do ta pasurojë skemën aktuale, duke u dhënë mundësinë të gjithë punonjësve që duan të kursejnë më shumë për pensionin, që të vendosin në një fond të veçantë çfarëdolloj përqindjeje nga paga, të cilën shteti do ta shoqërojë me të njëjtën shumë.

Pra, nëse dikush vendos të nxjerrë nga paga një euro për ta vendosur çdo muaj në fondin e vet të pensionit, që pastaj t’i shtohet në fund pensionit që do marrë nga skema normale, shteti do të vendosë një euro tjetër dhe kështu do bëhen dy euro dhe, natyrisht, kjo do të jetë e kombinuar”, tha ai.