Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj gjatë bashkëbisedimit të kësaj të enjteje, të zhvilluar me praninë e kryeministrit Edi Rama dhe përfaqësues të bizneseve, deklaroi se sektori i ndërtimit ka pësuar një rritje rreth 17% në dhjetëvjeçarin e fundit.

“Sektori i ndërtimit në dhjetë vitet e fundit, sëbashku me real estate, ka patur një rritje rreth 17%.”, tha Ibrahimaj.

Rritja ekonomike e vendit sipas saj, vjen kryesisht nga ky sektor dhe si rrjedhojë e ecurisë së investimeve në vend.

“Nuk është vetëm rritja e një biznesi në vetvete, por është kontributi që ai sektor jep në rritjen e ekonomisë dhe rritjen e pagave.”, shtoi Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se mbështetja për këtë sektor mbetet thelbësore për të garantuar vijimësinë e rritjes ekonomike të qëndrueshme. Ajo solli në vëmendje se projektet në zhvillim pritet të gjenerojnë të ardhura të konsiderueshme, duke përfshirë rreth 14 milionë euro taksa lokale që në fazat fillestare, si dhe të ardhura të tjera nga aktiviteti ekonomik që do të krijohet rreth tyre.

Një tjetër element i rëndësishëm i diskutimit ishte ndikimi i drejtpërdrejtë i këtij sektori në punësim dhe paga. Aktualisht, projektet në zhvillim angazhojnë qindra punonjës dhe dhjetëra nënkontraktorë, ndërsa pritet që numri i të punësuarve të rritet ndjeshëm në fazat e mëtejshme të zbatimit. Pagat në këtë sektor janë dukshëm mbi mesataren kombëtare, duke reflektuar potencialin për rritje të mëtejshme të mirëqënies. Megjithatë, Ibrahimaj nënvizoi nevojën për rritjen e formalizimit të pagave dhe standardeve në sektor, në përputhje me zhvillimin e tij të shpejtë.

Gjatë këtij takimi u theksua gjithashtu se projektet moderne me standarde të larta urbane përfaqësojnë modele suksesi që kontribuojnë në afrimin e vendit me standardet e Bashkimit Europian dhe duhet të shërbejnë si shembull për sektorët e tjerë të ekonomisë.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit theksoi se zhvillimi i sektorit të ndërtimit është i lidhur ngushtë me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Shqipërisë dhe me rritjen e mirëqenies së qytetarëve, duke e konsideruar atë një prioritet në politikat ekonomike të vendit.