Kryeministri i vendit, Edi Rama ka deklaruar ditën e sotme se sektori i ndërtimit nuk është skenë krimi, por provë e një transformimi të madh. Gjatë një bashkëbisedim me sipërmarrësit e vendit, Rama u shpreh se falë saj ekonomia po rritet në mënyrë të qëndrueshme.

Kryeministri tha se jo të gjithë ata që janë në sektorin e ndërtimit, duhet të konsiderohen si figura të lidhura me krimin.

“Është e pamundur për disa që të pranojnë suksesin, por është e pamundur që të gjithë ata që janë në sektorin e ndërtimit të futen në thesin e baltës. Ka disa fakte të rëndësishme për t’u nënvizuar. Vetëm nga ky projekt, ende pa nisur puna, bashkia e Tiranës ka marrë 14 mln euro taksë. Vetëm nga ky projekt, 14 mln euro janë një shumë e konsiderueshme. Në këtë projekt, kur të bëhet realitet, qyteti do të fitojë çerdhet, kopshtin dhe bashkia e Tiranës mund të fitojë një shkollë. Angazhimi i investitorit do të ndërtojë dhe shkollën kur t’i jepet trualli.

Për ata që lehin në çdo gjuhë, nga shqipja deri në anglisht dhe në gjuhë të tjera dhe që menjëherë nxitojnë ta kornizojnë këtë transformim si transformimin e krimit, sot që flasim ky projekt ka 350 apartamente të porositura nga vetëm diaspora shqiptare dhe që nuk paguhen me cash, por paguhen me bankë dhe 350 apartamente janë ¼ e apartamenteve që do të ketë gjithë ku kompleks i madh dhe sot janë të porositura. Ekonomia po rritet në mënyrë të qëndrueshme ndryshe nga çfarë thuhet në tenxheret mediatike…Nuk janë skena krimin, janë prova të një transformimi të madh”, tha Rama.