Rrëqebulli i Ballkanit (Lynx lynx balcanicus) është fotografuar sërish në Parkun Kombëtar të Shebenikut nga stafi i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Elbasan.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura bën të ditur se përmes përdorimit të kamerave kurth, identifikimit të gjurmëve në terren dhe vëzhgimeve të vazhdueshme të specialistëve, u bë i mundur fotografimi dhe dokumentimi i tij duke konfirmuar praninë e tij në habitatet natyrore të parkut.
Prania e rrëqebullit të Ballkanit edhe në këtë Park dëshmon se ky lloj po vazhdon shtrirjen e habitateve të tij në territorin e vendit, falë metodave të ruajtjes dhe konservimit.





