Një krap i përmasave të rralla është kapur në lumin Vjosa nga një peshkatar 71-vjeçar nga fshati Frakull i Fierit.

Petrit Troka, i cili prej më shumë se 40 vitesh merret me peshkim, ka arritur të kapë me grep një peshk të llojit krap, i njohur nga banorët e zonës edhe si “pendëkuq”, me peshë 21.5 kilogramë.

Për Petritin, kjo është hera e dytë në më shumë se katër dekada peshkimi që arrin të kapë një peshk të përmasave të tilla në Vjosë.

“Kam mbi 40 vjet që merrem me këtë sport. Më herët, shumë vite më parë, kam kapur një tjetër krap të madh, që peshonte 23 kilogramë. Ndërsa këtë herë, peshku peshon 21.5 kilogramë”, tregon peshkatari 71-vjeçar.

Lumi Vjosa vazhdon të suprizojë me pasurinë e tij.