Ura e Milotit ka pësuar dëmtime të rënda mbrëmjen e kaluar, më 9 prill, pas një tentative grabitjeje.
Lajmin e ka dhënë vetë Autoriteti Rrugor Shqiptar i cili bën me dije se është njoftuar nga kompania kontraktore lidhur me një dëmtim të qëllimshëm në Urën e Milotit dhe ka dërguar menjëherë inxhinierët e tij në terren.
Nga verifikimet në terren të ekspertëve të ARRSH-së, rezultoi se fugat metalike të urës ishin dëmtuar. Shkak për këtë dëmtim është bërë tentativa për t’i grabitur ato. Lidhur me rastin, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë kallëzim në policinë e Lezhës.
Aktualisht qarkullimi në Urën e Milotit vijon normalisht pasi dëmtimi është riparuar.
Sjellim ndërmend se Ura e Milotit s’kishte shumë kohë që ishte hapur për qarkullim, pasi ka qenë nën proces rikonstruksioni. Ajo u hap për qarkullimin e automjeteve më 19 mars, pas ndërhyrjes në këmbët dhe strukturën e dëmtuar.





