“Nuk di ku të shkoj, të mbaj hallin e babit apo të shtëpisë, që po na zë brenda. Sako nuk përgjigjet, as ato të tjerat. Na tallin, na vënë në lojë. Imagjino lekët janë nda vetëm për romët, kur është bërë bashkia raciste?! Ne jemi rob të zotit”.
E ka të vështirë të përmbajë lotët, pasi prej muajsh ajo dhe familja e saj jetojnë me ankthin se do t’i nxjerrin nga shtëpia, pasi nuk i kanë paguar qiranë pronarit të banesës.
Dallëndyshe Lila, së bashku me babain e saj Metin, mjeshtrin e varkave të drurit dhe vëllain e saj jetonin në këtë shtëpi përdhese në lagjen nr.3 deri para tërmetit. Për shkak të dëmtimeve, shtëpia u shpall e pabanueshme dhe familja trajtohet me bonus strehimi nga bashkia.
Mosmarrja e tij prej 1 viti e 3 muajsh ka krijuar vështirësi të shumta ekonomike, pasi vetëm një nga anëtarët e familjes është në marrëdhënie pune.
“”Kam një vit e 3 muaj pa na dhënë bonusin e qirasë. Nuk më japin asnjë lloj informacioni, përkundrazi na thonë nuk ka sistem thesari, janë me pushime punonjësit e bashkisë. Unë vetë jam me kancer në tiroide, babai është operuar në zemër. Aktualisht aty ku jetoj me qira më kanë thënë që nesër të dal nga shtëpia, sepse s’kam mundësi ta paguaj”.
E sëmurë dhe me të ardhura vetëm 2000 lekë të reja në muaj, Dallëndyshja apelon për një vend pune pranë Ndërmarrjes Komunale.
“Kam shkuar shumë herë tek drejtori i Komunales dhe Gjelbërimit. Më ka thënë mos u mundo me ardh, do të të njoftoj vetë. Kam shkuar, s’më kanë marrë”.
Ndërkohë, mjeshtri i varkave të drurit, që pavarësisht moshës së thyer ushtron çdo ditë të vitit zanatin e tij, kërkon nga bashkia që t’u kalojë bonusin, pasi rikthimi në shtëpinë e dëmtuar, mund t’u rrezikojë jetën.
“Ku do të shkoj unë? Ku do mbytem unë? Në këtë shtëpi kam frikë se më zë brenda. Jam i detyruar të rri pa bukë, sepse as anijet nuk po ecin, që të paguaj qiranë. Kemi ngel në pikë të hallit”.
Dallëndyshe Lila u interesua edhe mëngjesin e kësaj të mërkure pranë bashkisë Durrës. Më në fund, pas shumë ecejakjeve u është kaluar shuma vetëm për 5 muaj, ndërkohë që pagesën e 10 muajve të tjerë nuk dinë ende kur do ta marrin.
Në listat e përfituesve të bonusit të strehimit që përfshin pagesën në masën 50% të qirasë nga ana e bashkisë janë rreth 250 persona që i përkasin kominitetit rom dhe egjiptian. Ndërkohë në total lista ka gjithsej 412 persona.
M.B.





