Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari reaguar një ditë pas vendimit, të gjykatës që zbuti dënimin për autorin e vrasjes së oficerit të policisë në Fier, Novruz Cenalia.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari e cilëson këtë vendim si një akt me pasoja të rrezikshme, që cenon jo vetëm emrin dhe sakrificat e punonjësve të policisë, por kërcënon edhe rendin ligjor dhe vetë shtetin.
“Vendimi për zbutjen e dënimit ndaj autorit të vrasjes së një punonjësi të Policisë së Shtetit është thellësisht shqetësues. Edhe pse nuk jemi njohur ende me arsyetimin e plotë, vrasja e efektivit të ‘Shqiponjave’ Novruz Cenalia ishte një sulm i hapur ndaj vetë shtetit dhe rendit ligjor.
Një akt i tillë nuk lëndon vetëm familjen e të ndjerit dhe dekurajon kolegët në uniformë, por rrezikon të japë një mesazh të gabuar për këdo që guxon t’i kundërvihet ligjit dhe shtetit të së drejtës. Respektojmë pavarësinë e gjyqësorit, por presim që drejtësia të jetë e fortë dhe në lartësinë e përgjegjësisë që ka ndaj qytetarëve dhe ndaj atyre që mbrojnë rendin çdo ditë. #LavdiDëshmorëvetëPolicisë.”, shkruan ministri Lamallari.
Ky reagim vjen pasi Gjykata e Apelit me juridiksion të përgjithshëm dënoi me 35 vite burg Azgan Mërnicën, i cili vrau në maj të vitit 2024 me armë zjarri, policin e forcave “Shqiponja”, 28-vjeçarin, Novruz Cenalia.
Më herët Gjykata e Fierit e kishte dënuar Mërnicën me burgim te përjetshëm.





