Seanca për Viktor Markun, i cili akuzohet për vrasjen e Hekuran Billës në zonën e Komunës së Parisit më 11 qershor u shty për nesër në orën 09:45. Marku ka qenë i qetë në prezantimin e parë para trupës gjykuese. Ai ka kërkuar që para nisjes së seancës nga gjyqtari Llazër Sallaku, të mos filmohet nga kamerat. 

Marku ka pretenduar se ditën që ka ndodhur vrasja ai ka qenë në Mal të Zi, ndërsa avokati i tij, Ilir Murati tha se arrestimi i Viktor Markut u bë pa një urdhër ndalimi. Sipas tij edhe Sebastian Mali nuk ka lidhje me ngjarjen, përkundrazi, Murati  u shpreh se është student i shkëlqyer i Juridikut. 

Viktor Marku në polici ka mohuar të jetë i përfshirë në krim. “Policia të thotë çfarë të dojë, unë s’kam vrarë njeri. Ditën e vrasjes dhe deri kur më arrestuan kam qenë në Mal të Zi. Të gjejnë autoret.”, mësohet se ka thënë Marku. 

Viktor Marku u arrestua në Mal të Zi, i cili kishte hyrë ilegalisht dhe tentoi që të largohet që andej me identitet tjetër, por u prangos.