Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ka zhvilluar një takim me profesionistë të fushës së drejtësisë në kuadër të turit “Punët e Shqipërisë”.
Në këtë takim morën pjesë edhe Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, si dhe drejtuesi politik i qarkut, Blendi Klosi. Të pranishëm ishin përfaqësues të shoqërisë civile, pedagogë të drejtësisë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, noterë, avokatë dhe juristë. Gjatë bashkëbisedimit u diskutua mbi arritjet dhe sfidat në sistemin e drejtësisë, si dhe mbi problematikat që hasin profesionistët në punën e përditshme.
“
Durrës – Në turin e takimeve #punëteshqipërisë, së bashku me Ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu dhe drejtuesin politik të qarkut, Blendi Klosi, zhvilluam një takim me profesionistë që punojnë në fushën e drejtësisë
, përfaqësues të shoqërisë civile, pedagogë të drejtësisë në UAMD, noterë, avokatë e juristë.
Diskutuam për çfarë është bërë dhe atë që duhet bërë më mirë në fushën e drejtësisë si dhe mbi sfidat e shumta që këta profesionistë përballen në punën e përditshme për të ofruar një shërbim sa më cilësor për qytetarët.
Në fjalën time theksova nevojën që ka sot qyteti i Durrësit për të pasur një infrastrukturë bashkëkohore për godinat e gjykatës dhe prokurorisë, si dhe domosdoshmërinë për një vëmendje më të madhe ndaj shtresave në nevojë, grave dhe fëmijëve të prekur nga dhuna në familje, si dhe mundësitë për riintegrimin e të miturve që kanë probleme me ligjin.
Përmes shërbimeve që ofrohen në qytetin tonë, ndihmës juridike falas, përmbarimit shtetëror dhe shërbimit të provës, drejtësia nuk mbetet më një derë e mbyllur, por një mundësi reale për çdo qytetar që ka nevojë për të.”, shkruan Sako.





