Kryepiskopi i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joani, ka përcjellë mesazhin e Pashkës për besimtarët, duke u ndalur te rëndësia e paqes dhe besimit në një kohë të vështirë për botën.
Në mesazhin e tij, ai kujton fjalët e para të Krishtit pas Ngjalljes, “Paqe në ju”, si një thirrje që mbetet aktuale edhe sot, në një realitet të mbushur me konflikte, pasiguri dhe frikë për të ardhmen.
Sipas tij, paqja që vjen nga besimi nuk lidhet me rrethanat e jashtme, por me gjendjen e brendshme të njeriut dhe lidhjen e tij me Zotin. Ai kujton se falja dhe dashuria janë mënyra për të thyer rrethin e urrejtjes dhe për të ndërtuar një shoqëri më të qetë.
Në mesazh përmendet edhe sfida që përballet shoqëria moderne, ku njerëzit shpesh ndjekin të mirat materiale, por ndihen të zbrazët dhe të pasigurt.
Zgjidhja, sipas tij, qëndron te kthimi te besimi dhe te vlerat shpirtërore.
Kryepiskopi kujton edhe historinë e Kishës Orthodokse në Shqipëri, e cila ka kaluar periudha të vështira, por ka arritur të ringrihet, duke e lidhur këtë me mesazhin e Ngjalljes dhe shpresës.
Në fund, ai bën thirrje për më shumë paqe, mirëkuptim dhe solidaritet, duke ftuar besimtarët që të përhapin këtë frymë në jetën e përditshme.





