Besimtarët ortodoksë në të gjithë vendin festojnë sot Pashkët. Me lutjet për paqe dhe mirësi, ata ndoqën meshën e ngjalljes së Krishtit në Kishat dhe Katedralet në gjithë vendin.

Në Durrës besimtarët ortodoksë ndoqën meshën e mesnatës në katedralen “Apostul Pavli dhe Shën Asti”, e cila solli lajmin e gëzuar për të gjithë besimtarët ortodoksë se “Krishti u ringjall”, e bashkë me të dhe shpresa për botën, i cili është dhe simboli i Pashkëve.

Katedralja ishte e mbushur me besimtarë që ndoqën nga afër ritet fetare dhe duke uruar njëri-tjetrin trokitën vezët e kuqe. Festimet ndërkaq do të vijojnë gjatë gjithë ditës së diel.

Pashka ortodokse kremtohet të dielën e parë pas ekuinoksit të pranverës, apo të dielën e parë pas hënës së parë të plotë të muajit. Sipas interpretimit biblik me ringjalljen e Krishtit ndodh kalimi nga vdekja në jetë nga e Premtja e madhe kur vdes Jezu Krishti në të Dielën e Pashkëve kur ngjallet.

Kremtimi i pashkës është një moment që simbolizon rilindjen e shpresës, forcimin e besimit te Zoti për të gjithë besimtarët, kalimin nga e përkohshmja në të përjetshmen dhe çlirimin e njerëzve nga mëkati.

“DurrësLajm” iu uron besimtarëve ortodoksë “Gëzuar Pashkët”!