Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Italinë, në qytetin Massa, ku një 47-vjeçar ka humbur jetën pas një sulmi të dhunshëm gjatë natës mes të shtunës dhe të dielës.
Sipas informacioneve nga mediat italiane, viktima është përfshirë në një përplasje me një grup prej katër deri në pesë personash të paidentifikuar. Gjatë incidentit, ai ka rënë në tokë dhe ka goditur kokën, duke pësuar arrest kardiak. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipeve mjekësore, ai nuk ka mundur të mbijetojë.
Ngjarja dyshohet se ka nisur rreth orës 01:00 të mëngjesit, kur një grup adoleshentësh të moshës 16–18 vjeç janë parë duke hedhur shishe drejt një dritareje në një restorant familjar, ku ndodhej viktima së bashku me familjen e tij.
Sipas hetimeve paraprake, viktima dhe kunati i tij kanë ndërhyrë për të ndaluar sjelljen e të rinjve, por situata është përshkallëzuar në përplasje fizike. Gjatë konfliktit, 47-vjeçari ka rënë dhe ka pësuar dëmtime fatale në kokë.
Kunati i tij është dërguar në spital për trajtim mjekësor, ndërsa djali 11-vjeçar i familjes ka marrë ndihmë për shkak të tronditjes së fortë emocionale. Autorët e dyshuar janë larguar menjëherë pas ngjarjes dhe janë në kërkim nga policia.
Karabinierët e Italisë kanë nisur hetimet për të identifikuar përgjegjësit dhe për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje tragjike.





