Detaje të reja zbardhen nga aksioni i policisë, që shkatërroi një rrjet trafikantësh shqiptarë, që trafikonin në mënyrë ilegale qytetarë nga Lindja e Mesme drejt vendeve europiane kundrejt parave.

Trafikantët e arrestuar janë Ali Osmanaj, Aida Velcani, Mentor Isufi, Anamaria Bengaj, Ardit Pinderi dhe Melinor Pinderi.

Të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Greqi, Turqi dhe Lindjen e Mesme, për një periudhë rreth 9-mujore, kanë organizuar dhe drejtuar veprimtarinë kriminale në drejtim të trafikimit të personave me origjinë nga Lindja e Mesme në Greqi, Shqipëri deri në përcjelljen drejt kufirit me Malin e Zi dhe Kosovën, me destinacion vendet e Bashkimit Europian.

Kanë trafikuar nëpërmjet territorit të vendit tonë, një numër relativisht të madh emigrantësh nga Lindja e Mesme, duke marrë nga 100-300 euro, për çdo emigrant nga Bilishti në Tiranë dhe nga Tirana në drejtim të Kukësit ose Shkodrës.