Italia është gati të vërë në dispozicion njësi detare për të siguruar transportin detar në Ngushticën e Hormuzit pranë brigjeve iraniane, tha sot kryeministrja italiane, Giorgia Meloni në Paris.
Meloni e bëri deklaratën pas bisedimeve në kryeqytetin francez rreth një dislokimi të mundshëm ushtarake në ngushticë, e cila është jetike për tregjet botërore të naftës.
Irani dhe SHBA-ja, aktualisht janë të bllokuara në një armëpushim të pasigurt, që synon të sigurojë eksporte të naftës të pranueshme, reciprokisht përmes rrugës së ngushtë ujore.
“Megjithatë, çdo dislokim duhet të ketë miratimin parlamentar sipas kërkesave kushtetuese të Italisë, tha Meloni.
Konferenca në Pallatin Elysee u organizua nga presidenti francez, Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik, Keir Starmer.
Përveç Melonit, i pranishëm ishte edhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, ndërsa dhjetëra vende të tjera dhe organizata ndërkombëtare morën pjesë nëpërmjet lidhjes me video.
Merz tha se Gjermania është e gatshme të marrë pjesë në misionin shumëkombësh, por do të preferonte pjesëmarrjen e SHBA-së, ndërsa Macron argumentoi se operacioni nuk i përfshinte palët ndërluftuese.
Meloni e përshkroi iniciativën e Macron dhe Starmer si “jashtëzakonisht të rëndësishme” dhe tha se për këtë arsye ajo duhet të marrë pjesë personalisht.
Pas disa javësh bllokadë për shkak të luftës në Iran, udhëheqja në Teheran tha pas fillimit të konferencës së Parisit se do të rihapte Ngushticën e Hormuzit për anijet cisternë dhe anijet tregtare.
Ndërkohë, SHBA-ja synon të mbajë bllokadën detare, e cila, siç theksoi presidenti Donald Trump, prek vetëm anijet me destinacion në Iran.





