Kryetari i PD-së Sali Berisha në fjalën e tij sot më 17 prill përpara demokratëve në protestë tha se Partia demokratike është shpresa e vetme për Shqipërinë.

Akuzoi Ramën se ka krijuar narko-shtet dhe se kontrollon shumicën e medieve.

“Edi Rama ka krijuar narko-shtet. Këtu u bllokua Tik Tok-u dhe arsyeja ishte politike, sepse aty dilnin të palarat e qeverisë. Kjo qeveri kontrollon shumicën e medieve dhe rrjeteve sociale”, deklaroi kryedemokrati.

Berisha tha se fundi i Ramës do të jetë para gjykatës.

“Fundi yt do të jetë para gjykatës. Ne si opoziotë ndodhemi në kushte shumë të vështira dhe po bëjmë sakrifica tepër të mëdha. Po bëjmë ndoshta sakrificën më të madhe të ndonjë opozite në Europë dhe po qëndrojmë të pamposhtur në interes të qytetarëve shqiptarë.

Në gjyq do të jetë përballja e shekullit. Nëse nuk ta mban të vish në gjykatë, të sfidoj dhe në formë mëshirë, zgjidh studion televizive dhe hajde në debat që të them se çfarë hajduti je. Edi Rama, jep dorëheqjen”, tha ai.

Hodhi akuza në drejtim të qeverisë, duke thënë se po tentohet të asgjësohet opozita.

“Na izoluan ndërkombëtarisht me anë të mafies korruptive. Tentoi të në asgjësojë. Por ne sot jemi më të fuqishëm se kurrë. Sot kemi 7 rezoluta, që denoncojnë narko shtetin e Edi Ramës”.

Në fund, tha se opozita është në kilometrin e fundit të misionit të saj.