Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas protestës së sotme të opozitës, duke akuzuar Policinë e Shtetit për dhunë ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve të opozitës.

Në një postim publik, Bardhi i cili nuk ishte në protestë, e cilësoi ndërhyrjen e policisë si një “sulm çnjerëzor” dhe një akt të rëndë provokimi, ndërsa shtoi se kjo, sipas tij, tregon se kryeministri Edi Rama “ka humbur qetësinë”.

Ai paralajmëroi se çdo efektiv policie që, sipas tij, shkel ligjin dhe tejkalon kompetencat gjatë ndërhyrjes, do të mbahet personalisht përgjegjës.

Reagimi i Bardhit:

Sulmi çnjerëzor i Policisë së Shtetit ndaj qytetarëve apo deputetëve të Partisë Demokratike, është një akt i rëndë provokimi, por që tregon se Edi Rama ka humbur qetësinë. Kjo ndodh sa herë dikush ndjen fundin dhe fundi i tij është i shpejtë dhe i dhimbshëm.

Çdo punonjës i Policisë së Shtetit që kalon vijat e kuqe dhe dhunon haptazi ligjin do të mbahet personalisht përgjegjës. E drejta për të protestuar nuk mund të cenohet nga askush. Sulmi çnjerëzor nuk mund të falet.