Një rast i pazakontë ka tronditur qytetin e Krakovit në Poloni, ku autoritetet kanë zbuluar 148 pitonë mbretërorë të mbajtur në një pallat apartamentesh, pas një ankese fillestare për një gjarpër në shkallë.

Ngjarja nisi më 14 prill, kur policia e qytetit Prądnik Biały u njoftua për praninë e një gjarpri brenda një ndërtese banimi. Patrulla që mbërriti në vendngjarje konfirmoi rastin dhe gjeti zvarranikun, i cili më pas u kap nga zjarrfikësit dhe shërbimet bashkiake dhe u dërgua në një strehë të specializuar.

Fillimisht u dyshua se gjarpri i përkiste një prej banorëve të pallatit, por hetimi mori një kthesë të papritur. Gjatë kontrolleve të mëtejshme në ndërtesë, autoritetet zbuluan se nuk bëhej fjalë për një rast të izoluar, por për një koleksion prej 148 pitonësh mbretërorë të mbajtur në apartament.

Policia mori në pyetje tre burra që dyshohet se kujdeseshin për kafshët, të cilët kishin thirrur edhe një veteriner për inspektim. Sipas autoriteteve, u konstatuan parregullsi në mënyrën e mbajtjes dhe kujdesit ndaj zvarranikëve, duke çuar në arrestimin e tyre nën dyshimin për shkelje ligjore.

Pas marrjes në pyetje, të tre u liruan, ndërsa gjarpërinjtë u sekuestruan dhe u vendosën nën kujdesin e shërbimeve kompetente.

Hetimet po vijojnë për të përcaktuar nëse janë shkelur ligjet për mbrojtjen e kafshëve dhe nëse zvarranikët dispononin dokumentacionin e nevojshëm. Në rast konfirmimi të shkeljeve, të përfshirët mund të përballen me dënime nga tre muaj deri në pesë vjet burg.