Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla pas mbledhjes u pyet në lidhje me një vendimmarrje të mundshme për Elisa Spiropalin pas kritikave të kësaj të fundit mbi qeverinë, që kur nisi përplasja me Edi Ramën për imunitetin e Belinda Ballukut.
Balla tha për gazetarët se kritikat e saj Spiropali nuk i ka shprehur në mbledhjen e grupit.
Balla: Është normale që deputetë në grupin e PS-së të kenë propozime, të kenë kritika. Kjo është demokracia brenda grupit parlamentar dhe PS. Këto në korridore, në rrjetet sociale nuk i ndjek unë.
Pyetje: A keni marrë një vendim sa i takon Spiropalit pasi është thënë që do merret vendim grupi për qëndrimin dhe mosvotim për çështjen e Ballukut?
Balla: Kemi një rregull që në çdo fund sesioni bëjmë një analizë të punës së çdo deputeti. Kryesia e grupit parlamentar i paraqet grupit një raport, kur të vijë ai moment…
Pyetje: Pra PS do të presë fundin e korrikut për një vendimmarrje për zonjën Spiropali?
Balla: Për performancën e çdo deputeti të PS-së është rregull, atëherë bëhet një performancë. Janë rregulla që ekzistojnë në çdo grup parlamentar.
Pyetje: Kritikat që Spiropali adreson në rrjetet sociale i ka shprehur në mbledhjen e grupit parlamentar?
Balla: Jo nuk i ka shprehur, nuk i kam dëgjuar në mbledhje grupi.





