Në Spanjë nuk po dorëzohen dhe siç raportohet nga Mundo Deportivo ashtu edhe Sport, dy gazetat kryesore katalanase, kanë rifilluar raportimin mbi interesin e fortë të Barcelonës për Alesandro Bastonin e Interit.
Mbrojtësi i majtë i zikaltërve është favoriti i menaxhmentit të blaugranëve për të forcuar mbrojtjen e vitit të ardhshëm, megjithëse miratimi përfundimtar nga Hansi Flik është ende në pritje. Ai do të takohet me drejtorin sportiv Deko në ditët në vijim për të finalizuar strategjitë për sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, klubi tashmë ka filluar të eksplorojë mundësinë, veçanërisht me rrethin e lojtarit. Për momentin, nuk ka kontakte të drejtpërdrejta midis dy klubeve, me Interin që nuk është i gatshëm të shesë një nga lojtarët e tyre kryesorë. Ose të paktën jo me një çmim të volitshëm, duke e vlerësuar çmimin e tij midis 70 dhe 80 milionë eurove. Një shifër që Barcelona nuk është e gatshme ta paguajë.
Në këtë drejtim, vetë Bastoni mund të jetë një aleat dhe ai mund të punojë përmes agjentëve të tij për të ulur koston e marrëveshjes. Lojtari, raportohet se nuk ka ndërmend të detyrojë marrëveshjen dhe tashmë i ka shprehur qëllimet e tij, nëse largohet nga Interi, Barcelona do të ishte përparësia, pavarësisht interesit nga klubet e tjera të Premier Ligës, përfshirë Liverpulin.





