Kryeministri Edi Rama pasditen e kësaj të hënë ka zhviluar një takim me përfaqësues të agroturizmit në Tiranë. Rama në takim është i shoqëruar edhe nga drejtuesja politike e qarkut, Ogerta Manastirliu. Gjatë fjalës së tij, Rama prezantoi programin “Dyfisho Ndërmarrjen Tënde”.
Ai theksoi se ky projekt do të mbështetet nga një linjë kredie e Bankës së Shqipërisë, e cila do të përpunohet nga bankat e nivelit të dytë në bazë të aplikimeve dhe do të garantohet nga qeveria shqiptare.
Sipas tij kjo do të aksesohet nga Start-Up, nga ndërmarrjet e vogla e të mesme, nga punishtet dhe agroturizmat që duan të rriten.
“Ky projekt do të mbështet nga një linjë kredie e Bankës së Shqipërisë, e cila do të përpunohet nga bankat e nivelit të dytë në bazë të aplikimeve dhe do të garantohet nga qeveria shqiptare me një garanci sovrane dhe do të ketë një interes të kredisë më të ulët sesa kreditë komerciale.
Plus që do të ketë një limit deri në 2 milionë euro. Nuk do të jetë e mundur të aksesohet nga kompanitë e mëdha, por do të aksesohet nga Start-Up, nga ndërmarrjet e vogla e të mesme, nga punishtet dhe agroturizmat që duan të rriten”, tha mes të tjerash Rama.
Ndër të tjera ai foli edhe lidhur me “Paketën e Maleve”. Sipas tij kjo paketë u krijua për të rritur investimet dhe për t’i dhënë drejtim ligjit të 7501. Rama shtoi se të interesuarit aplikojnë tek Bashkia me projektin, dhe pas aprovimit mund të nisin ndërtimin e projektin.
“Paketa e maleve, besoj që gjithsecili prej jush mund të dojë të ketë një rrjet agroturizmi dhe për këtë shërben paketa e maleve. Ndryshe nga çfarë është keqtrajtuar apo deformuar në media, nuk është një paketë për kompanitë e mëdha apo investitorët. Është një paketë për të dhënë territore, troje publike, për zhvillime private. Nuk është ky qëllimi dhe objekti i paketës. Ajo ka lindur nga nevoja për t’i dhënë drejtim një problemi shumë të madh, të ligjit 7501 dhe konfliktit me këtë ligj.
Ligji, për të cilin u desh shumë kohë që të formulohej, nuk na dha atë efekt që do të duhej të jepte dhe për këtë arsye lindi paketa e maleve. Shumë shqiptarë kanë shtëpi të vjetra që duan t’i zhvillojnë, por nuk kanë titullin e pronësisë; me paketën e maleve kjo bëhet e mundur duke aplikuar pranë bashkisë. Bashkia e merr dhe afishon një listë për 45 ditë.
Nuk merret titulli i pronësisë menjëherë, por shkon në instancë dhe aplikohet me projektin; miratohet projekti dhe ti ndërton. Vetëm pasi ke përfunduar ndërtimin merr titullin e pronësisë; nuk mund ta marrësh peng tokën. Ligji parashikon se, në çdo rast, në një kohë X shfaqet dikush tjetër, nuk merresh ti, merret shteti dhe i takon atij ta kompensojë”, tha ai ndër të tjera.





