Ekspozimi në diell ka përfitimet e veta për organizmin, sidomos për prodhimin e vitaminës D, por rrezatimi ultraviolet mbetet një rrezik që kërkon kujdes.

Përveç kremrave mbrojtës, rolin e tyre e kanë edhe ushqimet që ndihmojnë lëkurën të përballojë më mirë efektet e diellit.

Domatet janë një nga zgjedhjet më të mira, pasi përmbajnë likopen, një përbërës që ndihmon në neutralizimin e dëmeve nga radikalet e lira.

Në të njëjtën linjë janë edhe frutat si ananasi, kivi dhe papaja, të pasura me vitaminë C, e cila ndihmon në ruajtjen e elasticitetit të lëkurës dhe në prodhimin e kolagjenit.

Farat e lirit dhe arrat janë një tjetër mbështetje për lëkurën.

Ato përmbajnë acide yndyrore omega-3, që e mbajnë lëkurën të hidratuar dhe ndihmojnë në parandalimin e rrudhave. Edhe bajamet japin një kontribut të rëndësishëm, pasi janë burim i mirë i vitaminës E, e njohur për rolin e saj në mbrojtjen e lëkurës.

Ndërkohë, misri përmban luteinë, një përbërës që ndihmon në mbrojtjen nga rrezatimi ultraviolet.

Kombinimi i këtyre ushqimeve në dietën e përditshme mund të ndihmojë në forcimin e mbrojtjes natyrore të lëkurës, sidomos gjatë ditëve me diell, duke e bërë atë më rezistente ndaj dëmtimeve.