Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në kompleksin arkeologjik të piramidave të Teotihuacan në Meksikë, ku një person i armatosur hapi zjarr ndaj turistëve, duke vrarë një grua kanadeze dhe duke plagosur të paktën 13 persona të tjerë. Sipas autoriteteve lokale, agresori më vonë ka vrarë veten me një armë zjarri.

Ngjarja ndodhi të hënën rreth orës 11:30 të paradites, kur dhjetëra turistë ndodheshin në zonën e njohur si Piramida e Hënës. Dëshmitarë okularë tregojnë se një burrë që ndodhej mbi strukturën filloi të qëllonte me armë drejt turmës, duke shkaktuar panik të madh. Shumë persona u hodhën përtokë për t’u mbrojtur, ndërsa të tjerë nisën të zbresin me shpejtësi nga piramida.

Sipas autoriteteve të Meksikës, shtatë nga të plagosurit janë qëlluar me armë, ndërsa të tjerët janë lënduar gjatë rrëzimeve dhe përpjekjes për të shpëtuar. Viktimat janë dërguar në spital dhe mes tyre ka turistë nga Kanadaja, Kolumbia dhe Rusia. Gjendja e tyre shëndetësore nuk është bërë ende plotësisht e ditur.

Prokuroria identifikoi autorin e dyshuar si Julio Cesar Jasso Ramirez, një shtetas meksikan, por nuk dha më shumë detaje mbi motivet e mundshme të sulmit.

Pamjet e publikuara nga mediat lokale tregojnë momentet e panikut, me turistë që kërkojnë strehim ndërsa dëgjohen të shtëna të shumta. Forcat e para që ndërhynë ishin policia lokale që ruante zonën arkeologjike, ndërsa më pas mbërriti edhe Garda Kombëtare për të menaxhuar situatën emergjente.

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, deklaroi se po e ndjek nga afër situatën dhe ka urdhëruar hetim të plotë, si dhe mbështetje për të prekurit. Ajo gjithashtu tha se autoritetet meksikane janë në kontakt me ambasadën kanadeze.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të madh për sigurinë në një nga destinacionet më të njohura turistike dhe historike të vendit, sidomos në një moment kur Meksika po përgatitet për një ngjarje të mëdha ndërkombëtare si Kupa e Botës që do të bashkëorganizohet me SHBA-të dhe Kanadanë.