Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar këtë të martë me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, për vrasjen e Liridona Ademajt, ngjarje e ndodhur më 29 nëntor të vitit 2023.
Në fjalët përfundimtare në gjyqin ndaj tyre, Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për ta, duke pretenduar se vrasja e 30-vjeçares, bashkëshorte e Murselit, ishte kryer në mënyrë të planifikuar.
Duke kundërshtuar akuzat e Prokurorisë, avokatët e të akuzuarve thanë se nuk ka prova të drejtpërdrejta se Murseli, Plava dhe Kokalla kanë kryer veprat penale.
Vëllai i Ademajt ka kërkuar burgim të përjetshëm për Murselin, Kokallën dhe Plavën, duke thënë se vrasja ishte e organizuar nga të akuzuarit dhe e ka lënë familjen në dhimbje të madhe.





