Gjykata e Bashkimit Evropian ka vendosur se ligji anti-LGBTQ+ i Hungarisë është diskriminues, stigmatizues dhe në shkelje të vlerave themelore demokratike.
Në një vendim të gjerë, Gjykata e Drejtësisë së BE-së deklaroi se ligji i vitit 2021, i cili ndalon përmbajtjet për personat LGBTQ+ në shkolla dhe në televizionin në oraret kryesore, bie ndesh me një shoqëri të bazuar në pluralizëm dhe të drejta themelore, si ndalimi i diskriminimit dhe liria e shprehjes.
Péter Magyar fitoi një fitore të thellë në zgjedhjet e fundit, duke premtuar luftë kundër korrupsionit dhe përmirësim të standardit të jetesës, por ende nuk ka qenë i qartë nëse do t’i rikthejë mbrapsht politikat anti-LGBTQ+ të vendosura nga Viktor Orbán, i cili u rrëzua pas 16 vitesh në pushtet.
Ai ka premtuar gjithashtu “rikthimin” e fondeve të BE-së për Hungarinë, disa prej të cilave janë ngrirë për shkak të ligjit anti-LGBTQ+, si dhe për arsye të tjera si shkeljet e lirisë akademike, të drejtës së azilit, korrupsionit dhe mungesës së pavarësisë së drejtësisë.
Ligji i vitit 2021, i quajtur “ligji për mbrojtjen e fëmijëve”, vendos kufizime në shkolla dhe media për përfaqësimin e personave LGBTQ+, duke u krahasuar më parë me ligje të ngjashme në Rusi. Ai ndalon që personat homoseksualë dhe transgjinorë apo temat LGBTQ+ të shfaqen në materiale edukative, filma, reklama apo programe televizive para orës 22:00.
Gjykata theksoi se ligji është “në kundërshtim me identitetin e Bashkimit si një rend i përbashkët juridik në një shoqëri ku mbizotëron pluralizmi” dhe se Hungaria nuk mund të justifikohet me “identitetin kombëtar” për të shkelur vlerat themelore.
Gjykata urdhëroi Hungarinë të zbatojë vendimin pa vonesë dhe të paguajë shpenzimet e procesit, përfshirë ato të Komisionit Evropian.
Eurodeputetja Tineke Strik deklaroi se qeveria e re duhet të sigurojë që “rivendosja e plotë e të drejtave të këtij komuniteti të jetë në qendër të reformave për sundimin e ligjit”.
Organizata për të drejtat e njeriut në Hungari e quajti vendimin një “moment historik për të drejtat e njeriut në BE”, ndërsa ILGA Europe theksoi se Hungaria nuk mund të hyjë në një epokë të re pa shfuqizuar këtë ligj.
Gjykata konstatoi gjithashtu se Hungaria shkel të drejtën e dinjitetit njerëzor dhe lirinë e shprehjes, duke i trajtuar personat LGBTQ+ si kërcënim për shoqërinë, si dhe ka shkelur rregullat e BE-së për mbrojtjen e të dhënave personale.





