Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në një postim në rrjetin social X, ftoi profesionistët shqiptarë që t’i bashkohen skuadrës diplomatike në Bruksel, në kuadër të objektivit ‘Shqipëria 2030’.
Ai nënvizon për të interesuarit se nëse besonin te formimi i tyre akademik dhe eksperienca profesionale, atëherë ishin të ftuar të aplikonin dhe të ndiqnin udhëzimet.
Ministri shprehet se procesi i integrimit ka hyrë në fazë të avancuar dhe kërkonte angazhimin e më të mirëve.
“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, i cili ka hyrë në një fazë të avancuar, kërkon më shumë se asnjëherë angazhimin e më të mirëve, më të aftëve dhe më të përkushtuarve, për të përfaqësuar vendin tonë me profesionalizëm, integritet dhe vizion”, shkruan ai mes të tjerash.
Hoxha e cilësoi një moment kyç për Shqipërinë dhe se “e ardhmja ka nevojë për çdokënd”.
Postimi i plotë i Ministrit Hoxha ne X:
“Nga e thëna në të bërë: nëse besoni se përmes formimit tuaj akademik, eksperiencës profesionale, aftësive dhe shprehive, apo çdo cilësie tjetër thelbësore për profesionin e diplomatit, keni çfarë nevojitet për të qenë pjesë e skuadrës tonë në Bruksel për Shqipërinë2030, ju ftoj të klikoni më poshtë dhe të ndiqni udhëzimet për të aplikuar.
Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian, i cili ka hyrë në një fazë të avancuar, kërkon më shumë se asnjëherë angazhimin e më të mirëve, më të aftëve dhe më të përkushtuarve, për të përfaqësuar vendin tonë me profesionalizëm, integritet dhe vizion.
Ky është një moment kyç për Shqipërinë, një mundësi për të kontribuar drejtpërdrejt në një proces historik që do të përcaktojë të ardhmen europiane të vendit.
Bëhuni pjesë e këtij rrugëtimi. Vendi dhe e ardhmja jonë kanë nevojë për çdokënd”.





