Ish-ministri socialist Arben Malaj teksa ka deklaruar se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë është ndalur, ka theksuar se kjo ka ardhur si pasojë e mbrojtjes që socialistët i bënë Belinda Ballukut, duke bllokuar kërkesën e SPAK për arrestimin e saj.

Në një emision në News24, Malaj u shpreh se kërkesa e SPAK kishte alternativa të arsyeshme për masën e sigurisë/

“Për mua integrimi është bllokuar për Shqipërinë që nga momenti kur PS bllokoi vendimin për Ballukun. SPAK është treguar i kujdesshëm, i dha dy mundësi, arrest me burg ose në shtëpi. Okej është zonjë dhe mos të arrestohet në burg, por PS arrestin në shtëpi mund ta lejonte, nuk ka ndonjë gjë”, tha ai.

Malaj ngriti edhe dyshime mbi arsyet e refuzimit, duke shtuar se kryeministri Rama ka pasur frikë se të njëjtën masë do e kërkonin edhe për të, ndërsa shtoi se e vetmja mënyrë që procesi i integrimit të vijojë, është që ai të dorëhqiet.

“Ndoshta Rama ka pasur frikë se të njëjtën masë do e kërkonin edhe për të. Ky vendim rrëzoi urën drejt BE dhe e vetmja mënyrë që ura të vijojë është dorëheqja e Kryeministrit”, tha ai, ndërsa shtoi se “dorëheqja nuk është ndonjë hata e madhe. Njerëz kanë qenë heronj luftërash dhe nuk kanë fituar zgjedhjet, nuk është ndonjë gjë e madhe. Ne e lidhim çdo gjë me të.”

Duke folur për kriteret e anëtarësimit në Bashkimi Europian, Malaj u shpreh se Shqipëria ka ngecur në aspektin e demokracisë.

Procesi i anëtarësimit ka kriteret e tij. E para është demokracia, ekonomia dhe minoritetet kulturore. Ne kemi ngecur te pika e parë”, tha ai.