Kryeministri Edi Rama në Forumin Ekonomik të Delfit, gjatë një bisede me Alexis Papahelas, kryeredaktor i gazetës “Kathimerini”, u ndal te roli i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke theksuar se rajoni nuk është i harruar, përkundrazi ndodhet në një moment të favorshëm.
Edi Rama: Jo, nuk mendoj se Ballkani është i harruar. Kam ndjesinë që jemi në kohët më të mira. Për të qenë shumë të qartë, Ballkani Perëndimor është në kohën më të mirë, jemi shumë pranë Bashkimit Evropian.
BE nuk ka qenë kurrë kaq i vetëdijshëm për rëndësinë tonë në të gjithë gjeopolitikën, kemi shumë vizibilitet në shumë mënyra. Gjatë kohëve të fundit është bërë normale, por nuk ka qenë aspak normale që të flisnim dhe të bashkëpunonim me njëri-tjetrin.
Dua t’ju kujtoj se jemi ulur të 6 liderët e Ballkanit Perëndimor rreth të njëjtës tryezë vetëm në 2014 në Berlin. Jo, nuk jemi të harruar, jemi në kohën më të mirë që kemi jetuar.





