Familjarët e 26-vjeçarit Aleksandër Petanaj, kanë premtuar se do t’i shkojnë deri në fund zbardhjes së ngjarjes për vrasjen e tij. 26-vjeçari, u qëllua me thikë në zemër nga G. Tartaraj dy ditë më parë.
I riu u dërgua me urgjencë në spital por ndërroi jetë në sallën e operacionit katër orë pas ngjarjes. Kur kanë kaluar disa ditë nga largimi i tij nga jeta, në familjen e tij ka pllakosur hidhërimi, ndërsa të afërm të tij janë shprehur se viktima ishte një person shumë i qetë.
Në një intervistë për Panorama.al, ata janë shprehur se 26-vjeçarit i kanë bërë pritë 10-15 veta me dy makina, teksa ishte duke u kthyer me biçikletë nga puna që bënte në mobilieri.
“Aleksandri po kthehej natën nga Vlora me biçikletë. Kishte qenë në punë në mobilieri. Në pyllin e Sodës i kanë bërë pritë. Kanë qenë rreth 10- 15 vetë me dy makina. Pasi e kanë sharë dhe goditur disa herë, e kanë qëlluar me thikë. Ai që e qëlloi është shok klase me vëllain e Aleksandrit. Janë zënë edhe më parë, por gjëra fëmijësh. Jemi në një lagje me atë që është arrestuar. Ne nuk e lëmë me kaq. Na iku djali. Aleksandri nuk ngacmonte njeri, punonte gjithë ditën në mobilieri”, janë shprehur ata.





