Në Kuvend po mbahet një interpelancë në lidhje me problemet në Shëndetësi dhe pas fjalëve të deputetëve të opozitës, që kanë shtruar pikëpyetjet e tyre, ka folur edhe ministrja Evis Sala.
Fillimisht ajo ka renditur avancimet në lidhje me shërbimin onkologjik.
“Për shumë vite, shërbimi onkologjik në Shqipëri ishte i përqendruar pothuajse tërësisht në një strukturë të vetme, që krijonte një zinxhir problemesh që i njihni të gjithë: Pacientë që udhëtonin nga e gjithë Shqipëria drejt Tiranës, mbingarkesë për mjekët dhe infrastrukturën, vonesa në diagnostikim dhe trajtim, dhe mbi të gjitha, një ndjenjë pasigurie për pacientin. Problemi nuk ishte vetëm mungesa e burimeve, por mënyra si ishte organizuar dhe menaxhuar sistemi.
Sot kemi një realitet tjetër. Shërbimi onkologjik është i organizuar në një strukturë shumë-nivelëshe, me një objektiv të qartë: ta çojmë shërbimin më pranë pacientit dhe ta bëjmë atë më të standardizuar në të gjithë vendin. Në nivel terciar, shërbimi onkologjik ofrohet kryesisht pranë:
-Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të gjitha diagnozat.
-Qendrës Spitalore Rajonale Tiranë “Shefqet Ndroqi” për kancerin e mushkërisë.
-Së fundmi, në kuadër të autonomisë menaxheriale po funksionon njësia e kimioterapisë pranë Spitalit Universitar Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”, për një numër diagnozash gjinekologjike”, u shpreh ajo.
Fjala e ministres vijoi edhe në lidhje me analizat labopratorike, që janë shoqëruar me shumë kritika në javët e fundit për shkak se është raportuar një kufizim i tyre në muajt e fundit. Ministrja sqaron se kjo nuk është e vërtetë.
“Ky shërbim i ofruar nëpërmjet Partneritetit Publik-Privat, ka sjellë një ndryshim të dukshëm në standardin e diagnostikës laboratorike, duke rritur ndjeshëm cilësinë dhe gamën e analizave të disponueshme për qytetarët. Nga një paketë relativisht e kufizuar që ofrohej më parë me rreth 100 analiza në spitalet universitare dhe, edhe më pak në ato rajonale, sot ofrohen 164 analiza në mënyrë të unifikuar në të gjitha spitalet pjesë e kontratës.
Është e rëndësishme të sqarohet për të gjithë qytetatët se shërbimi nuk ndërpritet në asnjë moment. Kontrata parashikon një planifikim mujor të volumit dhe buxhetit të analizave për çdo spital, bazuar në historikun dhe nevojat e parashikuara. Në momentin kur arrihet rreth 75% e këtij volumi, koncesionari njofton strukturat drejtuese përkatëse, si një mekanizëm monitorimi dhe menaxhimi të përdorimit të shërbimit.
Në këtë fazë, shërbimi vijon normalisht, por prioritet i jepet analizave urgjente dhe atyre të domosdoshme për vendimmarrjen klinike. Kjo do të thotë se në raste të caktuara mund të shtyhen disa analiza rutinë, por në asnjë rast nuk cenohet ekzaminimi, diagnostikimi apo trajtimi i pacientit.
Pra, çdo pacient që ka nevojë për analizë në funksion të diagnozës apo trajtimit, e merr atë pa ndërprerje. Ky është një mekanizëm menaxhimi për të garantuar përdorim të kontrolluar dhe efikas të burimeve, pa prekur shërbimin thelbësor.
Në vijim, institucionet janë duke punuar për përmirësimin e planifikimit, në mënyrë që ky balancim të jetë edhe më i harmonizuar me kërkesën reale në terren. Në të njëjtën kohë, po forcojmë mekanizmat e kontrollit në spitale, për të siguruar një funksionim më të mirë të shërbimit”, u shpreh ministrja Sala.





