Situata e negociatave midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit mbetet e paqartë, pasi presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të zgjasë pa afat një lloj armëpushimi, ndërsa embargoja në Ngushticën e Hormuzit vazhdon të mbetet në fuqi.
Sipas deklaratave të tij për mediat amerikane, ekziston mundësia që bisedimet të rifillojnë shumë shpejt, ndoshta brenda pak ditësh, por qëndrimet e tij të mëparshme kanë bërë që afatet të shihen me skepticizëm.
Raportime nga media si Axios sugjerojnë se administrata amerikane është e gatshme të japë edhe disa ditë shtesë për t’i dhënë kohë Iranit të unifikojë qëndrimin e tij negociues. Megjithatë, burime pranë Shtëpisë së Bardhë theksojnë se kjo pritje nuk do të zgjasë pafundësisht. Ndërkohë, Trump ka reaguar ashpër ndaj kritikëve në media, duke kundërshtuar pretendimet se Irani po përfiton nga situata dhe duke mbrojtur aftësitë e tij negociuese.
Situata në terren mbetet e tensionuar. Irani ka qëlluar ndaj disa anijeve në Ngushticën e Hormuzit dhe ka sekuestruar të tjera, duke e bërë armëpushimin shumë të brishtë. Analistë si David Ignatius e përshkruajnë këtë proces si një negociatë të pazakontë, ku të dyja palët duken sikur duan marrëveshje, por njëkohësisht veprojnë sikur nuk e dëshirojnë atë.
Konflikti, që po zgjat prej afro dy muajsh, po ndikon drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë, duke rritur shqetësimet për çmimet e karburanteve në SHBA, veçanërisht në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, ka tentuar të qetësojë situatën duke deklaruar se konflikti pritet të përfundojë dhe çmimet e benzinës mund të stabilizohen apo edhe të bien. Megjithatë, sipas burimeve të The Ëashington Post, pastrimi i minave në Ngushticën e Hormuzit mund të zgjasë deri në gjashtë muaj, duke mbajtur çmimet e larta për një periudhë të gjatë.
Në planin e brendshëm politik, edhe figura të afërta me Trumpin kanë filluar të distancohen. Komentatori i njohur Tucker Carlson është shprehur i shqetësuar për përfshirjen në konflikt dhe për rolin e tij në mbështetjen e presidentit.
Ndërkohë, sipas Politico, administrata amerikane po shqyrton një ndarje të vendeve të NATO-s në “të mirë” dhe “të këqij”, në varësi të mbështetjes së tyre në konfliktin me Iranin. Raportimet sugjerojnë se disa vende të Europës Lindore, si Polonia dhe Rumania, mund të përfitojnë nga një rritje e pranisë ushtarake amerikane, ndërsa vendet që kanë treguar më pak mbështetje mund të përballen me pasoja, megjithëse ende nuk ka një strategji të qartë për këtë.





