Shqipëria ka firmosur këtë të martë, 28 prill, një nga marrëveshjet më të rëndësishme me SHBA-në dhe Greqinë në fushën e gazit, një hap që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen energjetike të vendit dhe të rajonit.
Gjatë fjalës së tij në ceremoninë zyrtare, kryeministri Edi Rama e vendosi këtë zhvillim në një kontekst më të gjerë historik, duke rikujtuar vështirësitë e mëdha që ka kaluar sektori energjetik shqiptar ndër vite.
Rama theksoi se jo shumë kohë më parë, energjia në Shqipëri ishte thjesht një çështje mbijetese, ku prioritet ishte mbajtja e dritave ndezur për sa më shumë orë gjatë ditës. Ai kujtoi se sistemi energjetik karakterizohej nga keqmenaxhimi dhe abuzimi, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë mbante barrën financiare për pjesën tjetër. Sipas tij, vetëm një dekadë më parë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ishte në prag falimentimi, duke u mbajtur në këmbë përmes subvencioneve qeveritare dhe me një nivel borxhi që arrinte mbi 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
“Ka qenë një moment në jetën tonë kur energjia ishte çështje furnizimi për të mbajtur dritat ndezur sa më gjatë të ishte e mundur në harkun e 24 orëve. Nga ana tjetër, jetonim në një vend ku deri një dekadë më parë gjysma e popullsisë paguante për gjysmën tjetër, ndërkohë që e gjithë pasuria e prodhuar nga sistemi ynë ishte në fakt e keqmenaxhuar dhe e vjedhur. OSHEE deri një dekadë më parë ishte në buzë të falimentit dhe mbahej gjallë nga subvencionet qeveritare. Borxhi ishte më shumë se 5% e PBB-së. Sot historia është krejt ndryshe, energjia përcakton fuqinë tonë dhe sigurinë tonë energjetike. Shqipëria ka zgjedhur që të kalojë në një proces mjaft të dhimbshëm energjetik.”
Në vijim, kryeministri nënvizoi transformimin e thellë që ka pësuar sektori, duke theksuar se sot energjia nuk është më një problem, por një element kyç i fuqisë dhe sigurisë kombëtare. Ai u ndal edhe tek reformat e ndërmarra, të cilat, sipas tij, kanë qenë të vështira, por të domosdoshme, duke vendosur parimin që çdo qytetar të paguajë për konsumin e vet real, ndërsa shteti fokusohet në investime strategjike.
Rama vuri theks të veçantë te diversifikimi i burimeve energjetike, duke përmendur investimet në energjinë e rinovueshme, përfshirë projektet e fundit të energjisë së erës me mbështetje amerikane. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e infrastrukturës në Vlorë, e cila nga një aset i nënshfrytëzuar, po shndërrohet në një portë të rëndësishme energjetike për vendin.





