Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shkruar për situatën energjitike në Kosovë dhe rajon.

Ai ka thënë se Kosova po paguan qindra miliona euro për Serbinë për energji përmes “sekserëve të lidhur me njerëz të afërt të kryeministrimit”. Lidhur me këtë, Haradinaj përmendi marrëveshjen e Shqipërisë për gazin amerikan, e cila do të sigurojë furnizim stabël me energji dhe kosto të ulët.

Në postimin e tij, Haradinaj shkruan se Kurti ndër vendimet e para që ka marrë, ishte ajo e refuzimit të gazsjellësit amerikan.

Postimi i plotë:

“Përderisa Kosova po paguan qindra miliona euro për Serbinë për energji, përmes sekserëve të lidhur me njerëz të afërt të kryeministrit, Shqipëria firmosi marrëveshjen strategjike për gazin amerikan, e cila do t’i sigurojë furnizim stabil me energji dhe kosto të ulët.

Kurti, sapo erdhi në pushtet, u kujdes që ndër vendimet e para të tij të ishte anulimi fillimisht i ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re” dhe refuzimi i gazsjellësit amerikan.

Sot, milionat e Kosovës nuk do të shkonin në Serbi, sikur Qeveria Kurti të mos e kishte anuluar ndërtimin e Termocentralit të ri. Sikur të mos ishte bllokuar projekti amerikan i gazsjellësit Shkup–Prishtinë, një projekt me përfitime të mëdha, jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.

Sigurisht, Kosova do të bëhej fuqi energjetike në Ballkan dhe nuk do të mbetej në terr as verës e as dimrit, e aq më pak e varur nga mafia energjetike”.