Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha sot se kanë mbetur vetëm dy akte nënligjore për t’u miratuar para se të nisë aktiviteti ligjor i basteve sportive online.

Gjatë një konference me gazetarët ditën e sotme (30 prill), kreu i Financave shpjegoi se këto akte nënligjore do të bashkërendohen dhe dakordësohen me Ministrinë e Drejtësisë, e më tej do të publikohen, në mënyrë që të vijohet me licencimin e operatorëve potencialë.

“Për sa i përket basteve sportive online, kanë mbetur edhe dy akte nënligjore që ne po i bashkërendojmë dhe dakordësojmë me Ministrinë e Drejtësisë dhe, sapo të përfundojë bashkërendimi dhe dakordësimi, do t’i publikojmë ato, në mënyrë që të vijohet me licencimin e operatorëve potencialë për të ofruar në mënyrë të ligjshme pjesën e basteve online”, tha Malaj.