Bashkimi Evropian shprehu sot keqardhjen për dështimin e partive politike në Kosovë për gjetjen e një figure përbashkuese për president, çka po e ccon vendin drejt zgjedhjeve të reja, të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë. Në një reagim për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së theksoi se kriza politike po dëmton stabilitetin institucional dhe po rrezikon mundësitë për zhvillim.

“Është urgjente për Kosovën që të forcojë dialogun ndërpartiak për të siguruar funksionimin efikas të institucioneve dhe për të mos humbur mundësi që u sjellin përfitime qytetarëve, përfshirë ato nga Plani i Rritjes”, tha ai.

Situata në Kosovë u përshkallëzua pasi deputetët e Kuvendit nuk arritën të zgjedhin presidentin brenda afatit kushtetues. Kriza u thellua natën e 27 prillit, kur Lëvizja Vetëvendosje tërhoqi kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxha Kollçakut, për të propozuar më pas dy emra të rinj nga shoqëria civile: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.

Por opozita nuk mori pjesë në seancën vendimtare, duke e bërë të pamundur votimin brenda afatit. Kryeministri Albin Kurti tha se ka bërë përpjekje për marrëveshje, por pa sukses. Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës kërkoi të propozojë vetë kandidatin, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës kundërshtoi idenë që një parti e vetme të kontrollojë tre institucionet kryesore të shtetit.

Kurti deklaroi se u kishte ofruar opozitës poste në qeveri dhe marrëveshje politike, por këto u refuzuan. Edhe propozimi i tij që PDK dhe LDK të sillnin tre emra jopartiakë për president nuk u pranua. Pas këtij dështimi dhe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me 28 prill Kuvendi u shpërnda.

Kështu, pas një procesi të nisur që me 5 mars, afati i vendosur nga Kushtetuta skadoi duke e futur vendin në një tjetër cikël zgjedhor dhe në një krizë të re politike. Tani, barra bie mbi ushtruesen e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila pritet të shpallë datën e zgjedhjeve pas konsultimeve me partitë politike. Zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh, me dy data të mundshme në tryezë: 31 maji ose 7 qershori.

Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy raundet e para apo me 61 vota në raundin e tretë. Megjithatë, nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mund të mblidhet.