Avokati i kryedemokratit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, e ka pyetur Taulant Ballën gjatë seancës në GJKKO për dosjen “Partizani”, nëse kishte vënë në dijeni kryeministrin Edi Rama për kallëzimin e bërë në lidhje me këtë çështje. Në përgjigje, Kreu i Grupit Parlamentar të PS tha se nuk e ka vënë Ramën në dijenim duke theksuar se për asnjë kallëzim nuk ka marrë leje nga kryetari i partisë.
Gjokutaj vijoi më tej duke e pyetur nëse kishte dijeni që Rama kishte firmosur për këtë çështje, duke aluduar për vendimmarrje të mëhershme lidhur me pronën. Balla u përgjigj se nuk kishte dijeni për një gjë të tillë, duke shtuar se nuk kishte qenë i informuar për veprime të tilla.
Avokati ngriti gjithashtu çështjen e interesit publik, duke kërkuar të dinte nëse Balla e kishte ndarë këtë shqetësim me kryetarin e tij politik.
“Për asnjë kallëzim nuk kam marrë ndonjëherë leje nga kryetari i partisë,” tha Taulant Balla.
I pyetur nëse kishte ndërmarrë veprime konkrete për të parandaluar atë që e cilëson si procedurë korruptive, Balla tha se e kishte ngritur çështjen në Parlament dhe më pas kishte bërë kallëzimin si qytetar.
Në një moment të debatit, Gjokutaj deklaroi se ekziston një kontradiktë mes dëshmisë së Ballës dhe veprimeve të kryera nga Rama, duke iu referuar pretendimeve për ndryshimin e destinacionit të një klubi sportiv në truall ndërtimi.
“Rrëfimi juaj sot bie ndesh me veprimin që ka kryer kryetari juaj,” tha avokati.





