Ky 1 maj, Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, i gjen shumë nga pensionistët durrsakë, por edhe pensionistët e tjerë në rrethe në marrëdhënie pune.

Kushtet e  vështira të jetesës për shkak të pensioneve të ulta i detyrojnë të vazhdojnë të jenë në marrëdhënie pune për të siguruar disa të ardhura më shumë.

Anesti Dhëmbi është njëri prej tyre, që pavarësisht se ka dalë në pension vijon të punojë si taksist. Siç deklaron edhe vetë, punon për të mos iu bërë barrë fëmijëve.

Sipas INSTAT, forca e punës për grupmoshën mbi 65 vjeç ishte 27% në tremujorin e fundit të vitit 2025 nga 23% që ishte ky tregues në të njëjtin tremujor të vitit 2024. Nga viti në vit, numri i pensionistëve në marrëdhënie pune rritet.

Nëse kushtet shëndetësore do ia mundësojnë, Anesti do të vijojë të punojë edhe për disa vite të tjera si taksist.

Si puna e tij janë edhe taksistë të tjerë në Durrës. Jashtë kamerës kreu i sindikatës së tyre në qytetin bregdetar na pohon se 10% e taksistëve në qytetin bregdetar janë të moshuar në moshë pensioni.

Anesti shpreson që shëndeti t’ia mundësojë edhe disa vite të tjera punë, por për bashkëmosharët e tjerë, që janë në pamundësi për të punuar, ai shpreson vetëm diçka:

“Ishalla t’u ngrihet pensioni, se ka nga ata që kanë dalë në pension, po s’kanë mundësi të punojnë!”, është urimi i tij.

M.B.