Shijaku ka hyrë në një fazë të rëndësishme të Rindërtimit. Qytetarët e prekur nga tërmeti me dëme të nivelit DS1, DS2, DS3 dhe që kanë banesa individuale po vazhdojnë të marrin dëmshpërblimet. Ndërkohë shumë shpejt do të vijojë lidhja e kontratave dhe për banesat kolektive.

Kryetari i Bashkisë, Elton Arbana në një postim në Facebook shprehet i lumtur që Shijaku ka hyrë tashmë në një fazë të rëndësishme të Rindërtimit.

“Sfiduam veten drejt realizimit të një objektivi të rëndësishëm për të ardhmen e familjeve të prekura nga tërmeti. Përkrah kësaj sfide patëm mbështetjen e Kryeministrit dhe Qeverisë shqiptare. Mirënjohja e këtyre qytetarëve na dha force për të punuar jashtë orareve zyrtare dhe në fundjavë. Jam falenderues ndaj mediave, vëmendjes që shfaqin dhe pasqyrimit të së vërtetës. Shijaku ka hyrë në një fazë të rëndësishme të Rindërtimit. Dëmshpërblimet po jepen për 1174 familje.”- shkruan Arbana.

Në të njëjtën kohë, kreu i bashkisë së Shijakut thekson se qytetarët nuk do të paguajnë as për t’u pajisur me leje dhe as për t’ju miratuar leja në bashki.

“ZERO PAGESË, për kërkesën për tu pajisur me leje nga Bashkia. ZERO PAGESË, për t’ju miratuar leja në Bashki. Nevojitet vetëm prania e vetë qytetarëve me një kartë identiteti për të lidhur kontratën”,- shkruan Arbana.

Kryebashkiaku nënvizon se të gjithë këtë procedurë po e ndjek nga afër personalisht për t’u qëndruar afër qytetarëve të dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

“Po ndjek nga afër gjithë procesin duke asistuar dhe me shërbimin ndaj këtyre familjeve. Ku ka vullnet, ka zgjidhje!”,– e mbyll postimin e tij Elton Arbana.