Kryebashkiakja Emiriana Sako ka reaguar për tragjedinë që u regjistrua sot në Durrës, e cila shprehet se humbja e jetës së dy engjëjve është kthyer në ditë zie për gjithë Durrësin.
Si nënë e dy fëmijëve të vegjël, Sako ndan dhimbjen e jashtëzakonshme me familjarët e fëmijëve, teksa ka edhe një thirrje që ky aksident i rëndë duhet të shërbejë si reflektim për institucionet dhe për të gjithë ne si individë, prindër, qytetarë dhe shoqëri.
“Humbja e jetës së dy engjëjve sot është kthyer në ditë zie për gjithë Durrësin. Si nënë, ndaj dhimbjen e jashtëzakonshme me familjarët e fëmijëve dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
Lutemi së bashku për djalin që ndodhet në Spitalin e Traumës, që të kalojë këtë moment të vështirë dhe të rikthehet sa më shpejt pranë familjes së tij.
Ky aksident i rëndë duhet të shërbejë si thirrje për reflektim të thellë, jo vetëm për institucionet, por për të gjithë ne si individë, prindër, qytetarë dhe shoqëri.
Qofshin të parajsës“, shkruan Sako.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e kësaj të diele në zonën e ish-Kënetës, ku tre fëmijë të moshës 10 vjeç u përplasën nga një automjet teksa po luanin në trotuar. Dy prej tyre humbën jetën në vend, ndërsa i treti ndodhet në spital në gjendje të rëndë.





