Dekadat e fundit shoqëria njerëzore ka arritur një sukses mjaft të rëndësishëm: rritjen e jetëgjatësisë mesatare.

Sipas të dhënave globale, jetëgjatësia është rritur ndjeshëm falë zhvillimeve në mjekësi, ,mirëmbajtje dhe stilin e jetesës. Nga ana tjetër po shfaqet një fenomen shqetësues: individët po përjetojnë shenja të plakjes më herët se paraardhësit e tyre. 

Ky fenomen përfaqëson një paradoks biologjik dhe shoqëror: jetojmë më gjatë në vite kronologjike, por shpesh plakemi më shpejt në nivel biologjik. Këtu lind dallimi mes moshës kronologjike dhe asaj biologjike.

Plakja e trurit nuk nis papritur në moshë të madhe, por si një proces gradual që fillon shumë më herët nga sa mendohet. Sipas studimeve, truri zhvillohet plotësisht deri rreth moshës 25 vjeç, ndërsa shenjat e para të plakjes mund të shfaqen që në fund të të 20-ave ose në të 30-at.

Megjithatë, ky proces nuk është i njëjtë për të gjithë, ai ndikohet nga mënyra e jetesës dhe faktorë të ndryshëm individualë.

Hulumtimet kanë zbuluar se plakja e trurit ndodh me faza, jo në mënyrë lineare. Disa momente kyçe ku vërehen ndryshime më të theksuara për këtë fenomen janë moshat 57, 70 dhe 78 vjeç.

Këto ndryshime mund të shfaqen me vështirësi të lehta në përqendrim apo kujtesë, por jo domosdoshmërisht me rënie të menjëhershme të aftësive mendore, pasi disa funksione si përvoja dhe fjalori mbeten të qëndrueshme gjatë.

Shëndeti i trurit varet shumë nga zgjedhjet tona të përditshme, duke na bërë vetë përgjegjës për funsionimin sa më të mirë të tij. Aktiviteti fizik, ushqyerja e shëndetshme, gjumi cilësor, marrëdhëniet sociale dhe  mbi të gjitha menaxhimi i stresit shihen si faktorët kyç për ta mbajtur trurin aktiv dhe sa më të shëndetshëm.

Duke ndërtuar zakone të mira që herët, secili prej nesh mund të ngadalësojë procesin e plakjes dhe të ruajë funksionet njohëse të trurit për më gjatë.