Kryetari i Sindikatës së Shëndetësisë në Durrës, Zija Alhysa, denoncon mungesën e epidemiologëve në qytetin e Durrësit.
Teksa ndodhemi në një situatë të vështirë për sa i përket përkeqësimit të shifrave të të infektuarve të rinj në mbarë vendin, Alhysa thotë se në qytetin tonë, në bazë të numrit të banorëve duhej të ishin 3 epidemiologë, por aktualisht është vetëm një në organikën e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor, dhe ajo faktikisht mungon pasi është me leje lindjeje.
Po sipas numrit të popullsisë duhej të ishin 6 ndihmësepidemiologë, por kemi vetëm 4, dhe aktualisht mungon një dhe në total janë 3 në punë, shpjegon Alhysa.
“Prej 4 muajsh ka ikur epidemiologia se ka marrë lejen e lindjes, por nuk është zëvendësuar ende, megjithëse ka sa të duash epidemiologë. Edhe ndihmësepidemiologia që ka dalë në pension nuk është zëvendësuar. Aktualisht punon shefja e shërbimit dhe 3 ndihmës epidemiologë. Ne jemi ekipi që punojmë sot në Durrës. Ne merremi me të gjitha punët që kemi qenë të ngarkuar vazhdimisht, e tani edhe me Covid-19”, shprehet kryetari i Sindikatës.
Ai thotë se tani në periudhën e verës i është shtuar si punë dhe dezinsektimi, ku katër ditë në çdo dy javë i duhet kushtuar këtij procesi.
Zgjidhja sipas Alhysës, është ardhja urgjente në punë të paktën e epidemiologut dhe ndihmësit që figurojnë në organikë.
S.L.





